Tregu i vizave në Kosovë shkon deri në 5 milion euro ne vit

 

 

Mbi 217 mijë qytetarë të Kosovës aplikojnë për vizë Shengen brenda një periudhe trivjeçare. Ata shpenzojnë rreth 15 milionë euro, 9 milionë prej të cilave vetëm për pagesë direkte për vizat në ambasada, duke u radhitur kështu si të parët në Evropë për nga shpenzimi për viza. Pavarësisht kësaj, getoja Kosovare vazhdon të egzistojë.

Këto të dhëna i kanë nxjerrë drejtuesit e institutit GAP, të cilat i mbështesin në një hulumtim të realizuar rreth kësaj çështjeje. Ndërkohë, vetëm në Ambasadën gjermane brenda një viti aplikojnë rreth 40 mijë persona.

Mbi 217.000 kosovarë aplikuan për vizë brenda tre vjetëve

Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në institutin GAP, ka thënë se mbi 217 mijë qytetarë kanë aplikuar për vizë Shengen brenda vetëm tre vjetëve.

“Në bazë të një hulumtimi që kemi bërë më herët, brenda një periudhe trivjeçare gjithsej 217.862 kosovarë kanë aplikuar për vizë Shengen”, ka deklaruar ai për gazetën Zëri.

Me këtë rast, duke folur rreth hulumtimit të realizuar gjatë periudhës 2010-2012 nga GAP-i dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ai ka thënë se për këtë kohë qytetarët kanë shpenzuar rreth 15 milionë euro.

“Vetëm për këto tre vjet kosovarët kanë shpenzuar rreth 15 milionë euro për viza, prej të cilave nëntë milionë euro janë shpenzuar për pagesë direkte për vizat në ambasada, kurse rreth gjashtë milionë euro janë shpenzime të tjera të ndërlidhura me kompletimin e dokumentacionit për vizë”, ka potencuar Mehmeti.

Ai më tej ka thënë se një numër i madh i qytetarëve nuk kanë marrë vizë, ani pse kanë aplikuar.

“Kësaj duhet shtuar se një numër i konsiderueshëm i vizave refuzohen. Në hulumtimin tonë kemi gjetur se nga 217.862 aplikime për vizë, 37.567 prej tyre nuk kanë arritur të pajisen me të”, është shprehur ai.

Ndërkohë, në këtë hulumtim thuhet se kosovarët janë ata të cilët shpenzojnë më së shumti për viza prej gjitha vendeve të Evropës.

“Kosova është vendi i vetëm në regjionin e Ballkanit Perëndimor ndaj të cilit Bashkimi Evropian aplikon regjimin e vizave. Në anën tjetër, Kosova është vendi më i varfër dhe me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë. Pavarësisht kësaj, kosovarët shpenzojnë më së shumti në Evropë për të aplikuar për viza”, thuhet në këtë raport.

This entry was posted in Lajmet. Bookmark the permalink.