Drejtorit menaxhues të KEK-ut, Arben Gjuka, i është kërkuar dorëheqja nga punëtorët e kësaj korporate, gjatë një proteste njëorëshe që është mbajtur të enjten në minierën e mihjes së thëngjillit në Mirash të Obiliqit.
Përfaqësuesit sindikalë të Sindikatës së Re të KEK-ut (SR KEK), që e kanë organizuar këtë protestë, e kanë bërë përgjegjës edhe Gjukën për ndaljen e ekskavatorëve në Departamentin e mihjeve që nga gushti i vitit të kaluar. Sindikalistët kanë shprehur shqetësimin e tyre se mund të mbesin pa punë nëse vazhdojnë të mos punojnë ekskavatorët në këtë departament, ndërsa Kosova do të ballafaqohet me kolaps energjetik. Kryetari i SR KEK, Rafet Osmani, ka thënë se këtë shqetësim e kishin shprehur edhe më 26.10.2016 në një protestë të ngjashme për ndalesën në të gjitha sistemet e Departamentit të djerrinës për shkak të mosshpronësimeve me kohë të zonës 52-hektarësh, por që deri tash asgjë nuk ka lëvizur.