Pronari i REMATEX bart kapitalin në Serbi, le 250 punëtorë pa punë dhe pa paguar rrogat e mbetura borxh

Nga falimentimi i fabrikës për përpunimin e leshit “REMATEX” në Dragash, kanë mbetur pa punë qindra punëtorë, të cilët edhe 1 vjet pas mbylljes së fabrikës nuk po arrijnë t’i marrin pagat e tyre që ua ka borxh menaxhmenti i kësaj fabrike.

Punëtorët në shtator të vitit të kaluar kanë thënë për gazetën “ Zëri” se askush nuk ka dhënë llogari lidhur me pagat e tyre. Ata thonë se pronarët turq më nuk kanë ardhur në Kosovë për të diskutuar për pagat.

Arijan Sofiu, i cili ka punuar në këtë fabrikë, ka thënë se pas mbylljes së fabrikës nuk kanë takuar pronarët turq pasi ata nuk gjenden në Kosovë, ku edhe siç thotë ai, asnjëherë nuk ka marrë të paktën asnjë arsyetim se çka do të ndodhë me pagat e tyre.

“As pas gjithë këtyre muajve nuk kemi arritur që të paktën të kemi një informacion se çka do të ndodhë me pagat tona, kemi bërë ankesa vazhdimisht, por nuk ka pasur kurrfarë lëvizje në atë drejtim. Sipas informatave tona, përveç që kanë marrë materialin e mbetur, makineritë gjenden ende në objekt, ndërsa prej asaj kohe pronarët turq as që janë kthyer në Kosovë. Nuk kam shpresa se një ditë do të arrij të marr mbi 700 euro që i ka borxh ndaj meje dhe ndaj shumë punëtorëve të tjerë”, ka thënë ai.

Javën e kaluar, pronari i REMATEX ka hapur një fabrikë të tekstilit në Serbi, ku do ti punësojë 250 punëtorë të tjerë.

Përderi sa kapitali kalon kufitë me lehtësi, ne punëtorët shohim izolim dhe ndarje çdo here e më shumë. Tani më shumë se kurrë është nevoja e solidaritetit e punëtorëve ndërmjet kufive kundër eksploatimit të kapitalit dhe shteveve që na ndajnë.

This entry was posted in Lajmet. Bookmark the permalink.