Të burgosurit punëtorë në Dubravë hynë në grevë


71 të dënuar të Pavijoni VI në Burgun e Dubravës kanë hyrë në grevë duke refuzuar të punojnë në punëtori të burgut, punë për të cilën paguhen vetëm 1 euro në ditë. Ata iu kanë drejtuar Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut me pohime se atyre po u shkelen të drejtat e njeriut, duke ua mohuar beneficionet që i kanë fituar në bazë të sjelljeve të mira, kalimit me sukses të programit të risocializimit përmes angazhimit me punë, në trajnime profesionale, aktivitete sportive, edukative dhe kulturore.

Këta 71 të dënuar, që e kanë nënshkruar kërkesën drejtuar KMDLNj – së, kanë deklaruar se shumica e të dënuarve të Pavijonit VI (pavijon me beneficione ) kanë mbajtur gjysmën, 2/3 apo ¾ e dënimit dhe se me sukses e kanë kaluar programin e risocializimit prandaj i kanë fituar të gjitha beneficionet dhe se janë plotësisht të përgatitur për integrim në shoqëri, si qytetarë të lirë dhe të bëhen pjesë e dobishme dhe kontribuese e shoqërisë. Ata deklarojnë se sistemi i drejtësisë e sidomos ai i burgjeve ka pasur parregullsi por se ata kanë duruar për shkak të beneficioneve dhe duke shpresuar se do të bëhet më mirë. Ata ankohen në punën e Panelit për Lirim me Kusht që nuk i ka përmbushur kërkesat dhe pritjet e të dënuarve që e kanë fituar të drejtën për lirim me kusht. Ankohen gjithashtu në cilësinë e ushqimit dhe mungesën e pemëve dhe perimeve shkaku i procesit të tenderimit. Edhe në aspektin e mirëmbajtjes së higjienës personale, kolektive dhe ambienteve ku janë të vendosur ka probleme të theksuara sipas nënshkruesve të të dënuarve të Pavijonit të VI – të të Burgut të Dubravës. Mungesa dhe mosfunksionimi i sallës për aktivitete sportive është brengë e radhës e të dënuarve. Ata kanë deklaruar se shfrytëzimi i pushimit 21 ditë në vit, pranimi i pakove ushqimore gjatë vizitës dhe beneficionet e tjera kanë kanë pasur efekt për sjelljet e tyre të mira dhe kalimit me sukses të programit të risocializimit. Të dënuarit e nënshkruar të Pavijonit VI – të të Burgut të Dubravës kanë hyrë në grevë duke bojkotuar punën shkaku se, sipas tyre, me plotësim – ndryshimin e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale u janë hequr apo zvogëluar shumë këto beneficione.

Kujtojmë që burgu i Dubravës punëson 600 të burgosur të cilët i paguan rreth 24 euro në muaj, rreth 6 herë më pak sesa rroga minimale në Kosovë. Më poshtë është një raportazhë të vitit të kaluar e cila flet pak për këtë teme.

This entry was posted in Lajmet. Bookmark the permalink.