Në Pejë mbahet pezull fati i 222 punonjësve të pastrimit

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ia ka prishur planet e Komunës së Pejës që kishte për t’ia dhënë kompanisë së mbeturinave “Ambienti” shërbimin e sigurimit fizik të objekteve të Komunës dhe mirëmbajtjen e pastrimin e objekteve komunale, shkollave dhe ambulancave.

Komuna kishte aplikuar në muajin mars procedurën e negociuar me “Ambientin” pa publikim të njoftimit për kontratë, më qëllim që duke ia kaluar këto dy shërbime “Ambientit” të zgjidhte njëkohësisht edhe fatin e 222 punëtorëve të këtyre dy shërbimeve, të cilat deri para një viti kanë qenë privatizuar nga Komuna.

Vitin e kaluar Komuna kishte vendosur që këto shërbime të mos privatizoheshin më, kur enkas për sistemimin e këtyre punëtorëve edhe është miratuar në KK zgjerimi i veprimtarive në ndërmarrjen “Ambienti”, e cila është 100 për qind në pronësi të Komunës.

Mirëpo, këto plane ua kanë prishur 6 operatorë privatë, që merren me këto shërbime, të cilët kur e kanë parë se është shpallur një fitues, ata janë bërë në grup dhe kanë bërë ankesë në OSHP, me arsyetimin se kompania “Ambienti” nuk ka përvojë në këto shërbime dhe se Autoriteti kontraktues ka bërë shkelje të Ligjit të prokurimit publik, duke mos shpallur tender publik. Për shkak të kësaj ankese, ende asnjë punëtor nuk ka kaluar tek “Ambienti”.

This entry was posted in Lajmet. Bookmark the permalink.