Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës me aksion nga katedrala

Sot, Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës ka ndërmarrë aksion kunder vdekjeve dhe lëndimeve të punëtorëve në vend të punës si dhe kundër sistemit kapitalist në përgjithësi. Më poshtë po e bashkangjesim deklaratën e grupit.

Deklarata:

PUNËTORË REVOLTOHUNI !

Ne, punëtorët, e bartim barrën e kësaj toke mbi supet tona. Për deri sa skllavnojmë mbi dhe nën dhe, për shumicën nga ju ne ekzistojmë vetëm si hije, numër në statistikë, iniciale në lajme, ndërsa për shefat dhe pushtetarët që pasurohen në krah të punës tonë, ne jemi vetëm fjalë mbi të cilën i ngarkojnë dështimet e veta. Ditë pas dite ne, gratë dhe burrat punëtore/ë, përjashtohemi, shfrytëzohemi, lëndohemi dhe vdesim në vend të punës, të shtypur nga ky sistem.

Këtë javë ka ndërruar jetë Veli Spahiu, punëtor i KEDS-it, nga tensioni vdekjeprurës gjatë punimit në shtyllën elektrike. Ky është rasti i njëmbëdhjetë i raportuar i vdekjeve në punë nga fillimi i vitit deri më sot. Ndërmarrja e KEDS-it, jo vetëm që nuk e merr përgjegjësinë, reagimi i tyre vetëm sa tregon dyftyrësinë e tyre. Natyrisht kjo edhe pritet nga një ndërmarrje e privatizuar në mënyrë kriminale, ndërmarrje e cila na shet rrymë me çmime të papërballueshme dhe me ora të kurdisura, që përjashton jashtëligjshëm 360 punëtorë me kontrata të përhershme, nuk zbaton vendime të gjykatës, bënë investime të rrejshme dhe pastron paret e oligarkëve kosovar dhe turk. Kujtojmë para një viti edhe një punëtor tjetër i KEDS-it ka vdekë në vend të punës në rrethana të ngjashme.

Kjo është vazhdimësi e së njëjtës praktikë ku prej mbi 500 të lënduar dhe mbi 70 vdekje të punëtorëve që nga viti 2010 askush nuk ka dhënë përgjegjësi, ndërkohë që shefat sistematikisht ulin shpenzimet duke kursyer në pajisje të sigurisë. Kjo është simptomë e vetë sistemit kapitalist, pararojë e të cilit është vetë shteti, sistem i cili shtrydhë çdo pore të njeriut për profit të disave, sistem ky i cili krijon varfëri, pabarazi, ndarje, përhap shtypjen sistematike ndaj grave, krijon kufi ndërmjet nesh, ndërkohë që na turbullojnë me premtime të rrejshme se jemi të barabartë.

Prandaj ne, Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës, ndërmorëm aksion simbolik nga kulla e katedrales si një vend me pozitë qendrore në qytet, për të dërguar një mesazh i cili nuk mund të injorohet as nga njerëzit, as mediat, shteti, e as nga KEDS-i, ashtu sikurse janë injoruar vdekjet dhe lëndimet e shumë punëtorëve. Kjo është thirrje për të gjithë punëtore e punëtorë, studentë e të papunë, të shtypurit e të përjashtuarit, të ngrihen në rezistencë, kundër këtij sistemi të kalbur, shtypës, shfrytëzues dhe diskriminues. Kjo është thirrje për të gjithë ne të organizohemi në solidaritet me njëri tjetrin kundër shefave në punë dhe shefave të shtetit.

PËR NJË SHOQËRI TË LIRË DHE TË BARABARTË

Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës
29.07.2017

Nga faqja e mediave sociale:

Grupi anarko-sindikalist i Prishtinës (GASP) është kolektiv i individëve revolucionar që luftojmë për një lloj të ri të organizimit të punëtorëve, të papunëve, studentëve, të rinjve dhe penzionistëve, përmes krijimit të një lloji tjetër të sindikatës; sindikatë revolucionare jo-hierarkike që lufton ta çlirojë punën, punëtorin dhe të papunësuarin nga kthetrat e shefave, shtetit si dhe çdo institucioni tjetër shtypës

Fotografitë e aksionit:

    

This entry was posted in Lajmet. Bookmark the permalink.