Punëtorët teknikë të shkollave pesë muaj pa paga

Dhjetëra punëtorë teknikë të gjashtë shkollave në Komunën e Prishtinës, kanë hyrë në grevë për shkak të pagave që nuk i morën për muajin gusht nga kompania e tyre e cila ka kontratë me Komunën e Prishtinës.

Në anën tjetër, drejtori i kompanisë ‘MSS’, Behxhet Haxholli, ka thënë së kjo ndodh për shkak se komuna nuk i ka kryer obligimet financiare që ka ndaj kompanisë.

Sipas përfaqësuesit të punëtorëve teknikë në Shkollën fillore të mesme të ulët “Ismail Qemaili ”, Ruzhdi Miftari, moskryerja e obligimeve ndaj punëtorëve teknikë në gjashtë shkolla të Prishtinës, i ka detyruar ata të hyjnë në grevë, e cila do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës së tyre.

Shumë punëtorë, tha ai, po përballen me probleme financiare, ndërsa kanë edhe vështirësi për transport deri në vendin e punës.

“E kemi pru vendimin për me hy në grevë deri sa të na i qesin pagat, do ta vazhdojmë grevën deri në pikën e fundit. Pronari i firmës na ka lajmëruar së paga nuk kemi, se komuna nuk po na i qet që pesë muaj. Ne nuk e dimë ku është problemi, neve na intereson paga…Për Bajram ka pas njerëz që s’kanë pasur çka të hanë, çka të pinë. E kemi kolegun që prej Fushë Kosovës këmbë vjen, këmbë kthehet, se s’ka!”, deklaroi ai.

Drejtori i Kompanisë “MSS”, Behxhet Haxholli, ka thënë se tre muajt e fundit kompania e tij i ka kryer obligimet ndaj punëtorëve, por tani, gjendja ka ndryshuar për shkak se komuna nuk i ka kryer obligimet financiare ndaj kompanisë.

Ndërsa përgjegjësit nga Komuna e Prishtinës nuk kanë dhanë ndonjë përgjigje për grevën e punëtorëve teknikë, e cila do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

This entry was posted in Lajme Vendore, Lajmet. Bookmark the permalink.