Rreth 200 punëtorë po marshojnë nga Ballshi për në Tiranë, 138 kilometra rrugë

Punëtorët e Rafinerisë së Naftës së Ballshit dhe Fierit kanë filluar të marshojnë drejt Tiranës duke kërkuar marrjen e pagave të prapambetura, marrjen e pagës të muajit nëntor dhe rifillimin e punës!

“Ne po marshojnë se punën na e kanë mbyllur … ne kemi punuar në Nëntor, por s’na i kanë dhënë rrogat. Ne kërkojmë lekët tona,” tha një prej punëtorëve, ndërsa ecte më këmbë në qytetin e Fierit.

“Ne disa herë e kemi ngritur zërin, por asnjëri nuk na e ka varur. Të gjithë festojnë Vitin e Ri, ne nuk kemi lekë të hamë bukë,” shtoi ai.

“Ne kërkojmë që të na hidhen lekët dhe kërkojmë të lëshohet direkt uzina e Ballshit. Janë 42 mijë banorë që ushqehen me naftën e Mallakastrës,” thotë Albani, një tjetër punëtor.

Punëtorët thonë se vetëm pagesa e plotë dhe rivënia në punë e rafinerisë mund ta zhbllokojë situatën.

“Pasi të mbërrijmë në Tiranë do të përqëndrohemi para kryeministrisë me këto kërkesa ekonomike dhe para Ministrisë së Energjitikës. Nuk do heqim dorë në asnjë moment. Ne do të vazhdojmë të protestojmë me gjithë instrumentet demokratike që na garanton kushtetuta e vendit,” përfundoi Iljazaj.

Në një moment punëtorët kanë vendosur ta vazhdojnë rrugën me autobus për shkak të lodhjes dhe të ftohtit por policia i ka ndaluar dhe i ka zbritur nga autobusi. Punëtorë e kanë vazhduar marshin përsëri në këmbë.

This entry was posted in Lajme Vendore, Lajmet. Bookmark the permalink.