Gjykata e apelit vendos në favor të punëtorëve të KEDS-it

Në përpjekjet e tyre për t’u rikthyer në punë, 93 punëtorët e larguar të KEDS-it kanë fituar edhe një përballje ligjore.

93 punëtorët e larguar nga KEDS-i shtatorin e vitit të kaluar kanë fituar edhe një betejë ligjore të radhës me këtë kompani.

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e ushtruar nga KEDS.

Gjykata e Apelit, Departamenti Administrativ ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e paditësit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Inspektoratit të Punës të datës 2 dhjetor 2016.

Inspektorati i Punës me anë të këtij vendimi kishte vendosur në favor  të punëtorëve të larguar nga KEDS-i, ndërsa ky vendim ishte kundërshtuar nga përfaqësuesi i KEDS George Karagutoff.

Lidhur me këtë vendim, përfaqësuesi i KEDS, fillimisht i ishte drejtuar Gjykatës Themelore, Departamentit Administrativ, por ishte refuzuar si pretendim i pabazuar.

Përfaqësuesi i KEDS-it i pakënaqur me vendimin e gjykatës së shkallës së parë iu drejtua Gjykatës së Apelit duke kërkuar anulimin e vendimit të themelores me pretendimin e shkeljes esenciale të dispozitave ligjore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.

Por edhe Gjykata e Apelit e ka gjetur të pabazuar ankesën e paraqitur nga KEDS-i, duke e cilësuar të drejtë vendimin e gjykatës themelore.

Refuzimin e ankesës së KEDS-it nga Gjykata e Apelit e komentoi për KALLXO.com avokati i punëtorëve të larguar nga kjo kompani Nasuf Hasani.

Hasani tha se e përsshendt vendimin dhe e konsideron të drejtë. Ai konstatoi se KEDS-i nuk duhet të kontestojë ligjshmërinë e akteve të institucioneve të Kosovës.

Krahas këtij procesi juridik që po zhvillohet në departamentin administrativ, punëtorët e larguar nga KEDS-i kanë fituar rastin edhe me dy vendime të Inspektoratit të Punës, ndërsa kërkesa e paraqitur nga avokati i këtyre punëtorëve Nasuf Hasani për përmbarim të vendimit për shfuqizim të vendimit që i largon ata nga puna është aprovuar nga Gjykata  Themelore në Prishtinë.

 

Shkruar nga Labinot Leposhtica për Kallxo.com

This entry was posted in Lajmet. Bookmark the permalink.