Mjekët një javë ultimatum Qeverisë: Nëse nuk plotësohen kërkesat tona, grevë radikale

Federata Sindikale e Shëndetësisë në Kosovë, ka paraqitur edhe njëherë shqetësimet e saj lidhur me trajtimin e punëtorëve shëndetësorë nga ana e Qeverisë, ku kësaj të fundit kjo sindikatë i ka dhënë ultimatum një javë që t’i pranoj kërkesat e tyre, në të kundërtën ata paralajmëroj grevë radikale, shkruan Gazeta Monitor.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla në një intervistë për Gazetën Monitor ka thënë se Qeveria nuk është duke e kuptuar situatën e punëtorëve shëndetësor, ku ka vënë theksin se ajo se çfarë e bënë më problematike situatën është edhe buxheti i vogël në shëndetësi.

Por veç kësaj Syla ka treguar se problem tjetër është edhe Ligji i Sigurimeve Shëndetësore, si dhe Ligji i pagave.

“Duket Qeveria nuk është ka e kupton situatën e punëtorit shëndetësor por edhe punëtorit në shëndetësi, dhe ajo çka është më e kryesore është se ka buxhet të vogël në shëndetësi edhe Ligji i Sigurimeve Shëndetësore është duke u bërë në mënyrë jo transparente të mundshme, dhe jo në bazë të marrëveshjeve. E çka është më e vështira edhe Ligji i pagave i cili në masë të madhe sipas propozimeve aktuale e ka degraduar punëtorin shëndetësor, mjekun dhe gjithë ata që merren me shëndetin e popullatës”, tha Syla, duke theksuar se për tri vitet e fundit sektori i shëndetësisë nuk ka pas asnjë rritje të mirëqenies së punëtorit shëndetësor.

E në rast se Qeveria e Kosovës nuk i konkretizon kërkesat e punëtorëve shëndetësor deri javën e ardhshme, ata paralajmërojnë grevë.

“Javën tjetër pritet konkretizimi i kresave dhe nëse nuk i respekton Qeveria ne do fillojmë grevën, gjithashtu nëse organet nuk merren vesh atëherë greva do të radikalizohet e për këtë fajin do ta kenë zyrtarët qeveritar. Ata nuk duan të dëgjojnë për ta, nuk po duan të dëgjojnë asgjë”, tha Syla.

Veç kësaj ai gjatë intervistës ka treguar se janë takuar me Qeverinë dhe me Ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani, por përgjigja që kishin marrë nga ministri Rrahmani ishte që nuk po i intereson Ligji i pagave.

This entry was posted in Lajmet. Bookmark the permalink.