KEDS-I ende refuzon ti zbatoj vendimet e gjykatës

Pronarët dhe menaxhmenti i KEDS janë duke tentuar në çdo mënyrë ti kundërshtoj vendimet e gjykatës dhe inspektoriatit të punës që nxorrën vendime në përkrahje të kërkesave të punëtorëve. Pas 2 vendimeve të të inspektoritatit të punës dhe 2 vendimeve të gjykatës që shpallën vendimet e ndërrmarjes si të paligjshme, KEDS-i dërgon këtë deklaratë me të cilën nënkuptohet se ata nuk do ti zbatojnë vendimet e organeve ligjore:

“Ne e konsiderojmë vendimin e Inspektoratit të Punës, kapërcim të kompetencave që i njeh Ligji. […] KEDS po e kundërshton në gjykatë edhe kërkesën për ekzekutim. Ne jemi të gatshëm që ta ndjekim procesin deri në Gjykatën Kushtetuese nëse kjo do të jetë e nevojshme për të mbrojtur të drejtat tona të ligjshme.

Ne besojmë se KEDS ka vepruar në përputhje të plotë me kërkesat e ligjeve të zbatueshme në Republikën e Kosovës kur ka mbyllur departamentin dhe pozicionet e tepërta të punës, që sollën ndërprerjen dhe mos-ripërtëritjen e kontratave të një numri punonjësish […] por kjo ishte e domosdoshme dhe ne bëmë sa ishte e mundur për të zbutur pasojat, dhe në të njëjtën kohë jemi të bindur se nuk shkelëm asnjë nga të drejtat e punonjësve…”

Nuk është për tu çuditur përse KEDS i jep kaq zorr që ti kundërshtoj këto vendime. Nuk është në pyetje “100 punëtorë ma pak a më shumë”, por se me këtë vendoset shembull të cilin punëtorët mund ta marrin për bazë në luftën e matutjeshme për të drejtat e tyre. Me këtë, planet e shefave të shume ndërmarrjeve të mëdha të  cilat vazhdimisht punojnë kundër interesave të punëtorëve (kujto shtypjen e punëtorëve në ProCredit, M&Silos, Ferronikel, Sharrcem, etj) së paku do të ngadalësohen.

Mirëpo, siç tregon ky rast, si dhe rastet e mëhershme, ndërmarrjet e mëdha kanë kapital të madh dhe rrjet të njerëzve në pozita kyçe që punojnë për interesa të tyre ndërsa ne, punëtorët, kemi vetëm solidaritetin me njëri-tjetrin/ën dhe aksionin e drejtpërdejt. Pra, kur ata blejnë gjykatës, japing rryshfet politikanëve, kanë “të njofshëm” në polici e insitucione, ne kemi grevën, sabotazhën, okupimin e vendit të punës dhe solidaritetin klasor si kundërpërgjigje.

Kujtojmë se 50 punëtorë të KEDS-it janë përjashtuar në mënyrë kriminale nga menaxhmenti i kompanisë, kinse për ristrukturim. Sipas arsyetimit të menaxhmentit, KEDS nuk ka nevojë më për departamentin për projekte mirëpo që në realitet ky departament asnjëherë nuk ka egzistuar. Punëtorët janë detyruar t’i nënshkruajnë kontratat me kompaninë kinse janë pjesë e këtij departamenti si kusht t’ju vazhdohet kontrata e punës, ndërkohë që punëtorët vazhdonin të kryejnë punët e tyre të zakonshme që i kishin deri atëherë. Duhet përmendur fakti se të gjithë punëtorët që kanë nënshkruar këtë kontratë (dhe tani të përjashtuar nga puna) janë punëtorë të kualifikuar, shumica me përvojë pune shumë dekadëshe, dhe të gjithë mbi 55 vjeç. Tani me “shuarjen” e këtij departamenti, këta punëtorë që janë dashur të paguheshin në bazë të përvojës së tyre të punës, zavendësohen me punëtorë të rinjë dhe të pakualifikuar që do të punojnë me pagë shumëfish më të ulët (të punësuar përmes programit të praktikantëve KEDS Academy).

Ky është një trend që kompania e zbaton tash e një kohë. Mos të harrojmë se në pranverën e 2016, rreth 100 punëtorë të tjerë janë përjashtuar nëpërmjet presioneve të ndryshme. Poashtu flitet se plani i kompanisë është që ta reduktojnë numrin e puëntorëve në 1100 nga rreth 1600/1700 sa janë tani.

This entry was posted in Lajmet. Bookmark the permalink.