Punëtorët e ‘Pastrimit’ në grevë, kërkojnë rrogat e papaguara

Disa punëtorë të kompanisë “Pastrimi” në Klinë sot kanë mbajtur grevë disaorëshe në korridorin e ndërtesës së Komunës.

Ata thanë se po kërkojnë t’u paguhen disa paga të cilat nuk ua ka paguar kompania që ka qenë e kontraktuar nga Komuna e Klinës.

“Rreth 20 punëtorë kemi dalë sot në grevë sepse ish-kompania e pastrimit “Vital” ka falimentuar dhe është larguar që një vit e gjysmë. Katër muaj ose pesë nuk na ka paguar fare. Tash ajo (kompania) nuk përgjigjet fare, as për të na dhënë rrogat as kurrqysh”, tha Bore Kolaj, punëtore greviste.

Punëtorët grevistë thanë se kërkojnë vetëm pagat e tyre që ish-kompania u ka mbetur borxh.

Gjithashtu, ata sqaruan se grevën po e mbajnë në objektin e Komunës në mënyrë që kjo e fundit të ndërmarrë ndonjë veprim që t’u nxirren pagat nga ish-kompania.

Pas konsultimit me zyrtarët komunalë punëtorët grevistë arritën marrëveshje që greva e tyre të ndërpritet deri në zgjidhjen e radhës për pagat e tyre.

Drejtori i Administratës në Komunën e Klinës, Esat Rraci tha se sot në mëngjes kishte hasur në hollin e objektit të Komunës në disa punëtorë të pastrimit  që kishin hyrë në grevë shkaku i mospagesës së pagave nga kompania e mëparshme. Ai tha se me punëtorët janë marrë vesh që grevën ta ndërpresin deri në veprimet e ardhshme rreth këtij procesi.

This entry was posted in Lajmet. Bookmark the permalink.