Administrata e Universitetit të Mitrovicës në Grevë

Administrata e Universitetit ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë ka filluar sot një grevë të përgjithshme për shkak të mosrealizimit të kërkesës së tyre për shkrirjen e stimulimit në pagën bazë.

Kjo grevë, sipas grevistëve, do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.

Afrim Qela, anëtar i Këshillit Grevist, tha se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesës së tyre.

“Greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesës ose të kemi marrëveshjen me shkrim se kjo mund të realizohet në pagën e muajit korrik”, tha Qela.

Kjo grevë nga Administrata e fakultetit ka filluar sot në orën 8:00 dhe deri më tani askush nga zyrtarët e këtij fakultetit nuk i ka vizituar ata.

Zëdhënësi i Universitetit të Mitrovicës, Ahmet Jashari, tha se greva është e drejtë e plotë e punëtorëve, por tha se vendimi për ta nuk është në dorën e tyre.

“Menaxhmenti i Fakultetit i mbështet dhe i pranon kërkesat e tyre dhe i konsideron si të drejta sepse punëtorët kanë të drejtë për shkrirjen e stimulimit në pagën bazë por vendimi nuk është në dorën tonë por në dorë të Ministrisë e Arsimit”, tha zëdhënësi Jashari.

Ai shtoi se Universiteti i ka përfunduar në kohë të gjitha kërkesat e tyre dhe i janë dërguar Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Financve.

“Ato duhet të dakordohen pasi që ne konsiderojmë që i është bërë e padrejtë punëtorëve”, tha Ahmet Jashari.

This entry was posted in Lajmet. Bookmark the permalink.