Flet kolegu i viktimës së “Bechtel&Enka”

Mëngjesin e sotëm ka vdekur punëtori i Bechtel&Enka-s, Tafil Tafallari

Teksa po punonte në autostradën Prishtinë-Shkup, atë e goditi kamioni i cili barte me vete ujë për punëtorët në pikën e fshatit Kovaqec të Kaçanikut.

Por lidhur me vështirësitë e të punuarit në kompaninë turke Bechtel&Enka, ka folur edhe një ish-koleg pune i të ndjerit, i cili rrëfen për rreziqet që vazhdimisht iu ishin kanosur atij dhe punëtorëve të tjerë.

Ai në kushte anonimiteti ka thënë se edhe vetë gjatë nëntorit të vitit 2016, gjatë kohës kur kishte punuar si vozitës kamioni në fshatin Ivaj të Kaçanikut, kishte pasur një aksident, që gati e kishte çuar në vdekje.

D.T ka treguar se në Bechtel&Enka punëtorët detyrohen të punojnë me makineri të vjetëruar dhe me defekte.

Ai thotë se i ndjeri Tafil Tafallari ka qenë shofer i cilindrit (valakit).

‘’Unë e kisha koleg pune të ndjerin. Kisha edhe unë një aksident ku isha afër vdekjes. Pa kushte , me makineri të vjetruar dhe prap me bene fajtor dhe më denuan me karton te kuq’’, ka thënë D.T.

Tutje thotë se përkundër faktit se përgjegjësit e firmës ishin në dijeni për këtë gjendje të kamionave, prap e kishin detyruar që të voziste.

‘’Me kane detyru me kamion defekt me vozit, ka qenë fundi sezones me kane thene ose puno ose shko ne shpi pushim. E kane dite qe kamioni eshte defekt edhe shefi mekanikave edhe formeni im. Tre muaj kam vozit me defekt. Ka qenë rrëshqitje dhe terren i papërgatitur per ngarkese te madhe’’, tregon ky ish-punëtor i firmës turke.

Ai po ashtu tregon se aty ka edhe parregullësi të shumta, kështu duke përmendur vjedhjet e ndryshme që bëhen brenda kompanisë.

Madje thotë se edhe ushqimin që ua kishin shërbyer punëtorëve, ka qenë për mjerim.

‘Ushqimi ka qene i tmerrshem.Ne nderrimin e dites na kane sjell oriz te terur ose grure te zier ose theken te zier, ushqim turk’.

Përkundër tërë këtyre vështirësive, ai sërish synon që ta kthejë vendin e punës.

‘’Prej atehere kam provu me te njofshem me avokat kam ba kerkese, por s’me pranojne. Formenat cka kam punu me ta me kane kerku me u kthy ne pune, po ata ne zyre s’me kane pranu. Kam qene nder punetoret me te mire’’, thekson D.T

Raste të të përfunduarit me fatalitet në orarin e punës në këtë firmë kanë nisur të shpeshtohen.

Kujtojmë që në fillim të muajit tetor të këtij viti edhe një punëtor tjetër i Bektel&Enka humbi jetën tragjikisht.

Bëhet fjalë për të riun nga Kaçaniku, Afet Provoliun,i cili ndërroi jetë derisa ishte në orar të punës.

This entry was posted in Lajme Vendore, Lajmet. Bookmark the permalink.